Edhe këtë vit të mbjellat me grurë në Mat po rrezikohen nga karkaleci me origjinë italiane dhe afrikane. Deri tani janë rreth 150 hektar të mbjella të infektuara në tri zona të nxehta si në “Kongrazhd”, fshatin “Burrel” të Bashkisë Mat dhe lagjen “Shkorsë” të Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit. Specialistët e bujqësisë thonë se për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shirave deri në fillim-javë është ngadalësuar përhapja e karkalecit në sipërfaqe të tjera, por me rikthimin e të nxehtit, dëmi tek fermerët mund të rritet.

Nga ana tjetër, Përgjegjësi i Zyrës së Ekstensionit Bujqësor në Mat, Dritan Pjeçi tha se në lidhje me praninë e karkalecit në të mbjellat me grurë janë vënë në dijeni edhe institucionet qëndrore të cilat pritet t’i përfshijnë në planin e masave të hartuara edhe për zonat e infektuara në jug të vendit.

Karkaleci i cili prek grunoret është shumë agresiv pasi edhe pse ushqehet me kokrrën e grurit ai konsumon edhe karkalecat e tjerë kur ngordhin për shkaqe të ndryshme.