Lumi i Matit historikisht ka qenë një prej destinacioneve të para verore të banorëve që jetojnë përgjatë luginës, por jo vetëm, edhe për qytetarët e Burrelit. Edhe në këtë vit ky lum pret çdo ditë pushues për të kaluar orët e nxehta të drekës në freskinë e tij dhe hijeve për gjatë shtratit.

Ata që e frekuentojnë lumin janë që nga fëmijët, të rriturit e deri tek familjarët. Arsyet e frekuentimit të tij janë nga më të ndryshme duke përfshirë edhe koston e lartë që kanë pushimet në bregdet.

Megjithëse ende nuk shihet një numër i madh banorësh që frekuentojnë ujin e lumit Mat për të kaluar disa orë në ditë në të, në vijim pritet që ky numër të jetë më i lartë. Shkak për këtë pritet të bëhet situata e krijuar nga pandemia e Covid-19 jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë botën.

Shmangia e grumbullimeve masive si ato që bëhen në plazhet detare, mund të jetë një arsye e mirë që zonat që kanë lumenj, siç është edhe lugina e Matit, t’i kalojnë ditët e nxehta të verës këtu. Megjithatë, kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim, pasi pushimet për shumë kategori që punojnë, sapo kanë nisur apo nuk kanë nisur ende.