Që nga data 15 Korrik e këtij viti në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor dega Mat afërisht 1.200 automjete kanë kryer kontrollin teknik. Statistikat e këtij institucioni tregojnë se qytetarët matjanë, por jo vetëm, kanë marrë shërbimin më pranë banesave të tyre. Ndërkohë, mbi 90 automjete kanë kryer regjistrimin fillestar si dhe qindra të tjera kanë bërë ndryshim pronësie. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Dega Mat, Dritan Barhani tha se frekuentimi për të marrë shërbime ka qenë i lartë jo vetëm nga Mati por edhe nga zonat përreth si Bulqiza e Mirdita. Barhani shtoi se kjo drejtori ofron tashmë të gjitha shërbimet si çdo drejtori tjetër rajonale edhe për testet e teorisë apo të praktikës për lejet e drejtimit.

Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor, dega Mat ofron të gjitha shërbimet për të gjitha llojet e automjeteve që nga motomjetet e deri tek mjetet e tonazhit të rëndë.