Futbolli dhe jo vetëm mund të luhet në stadiume boshe edhe për 18 muaj të tjerë, derisa të zhvillohet një vaksinë për të luftuar koronavirusin, çka do të thotë shkatërrim i financave për shumë klube.  

Vizioni i zymtë për të ardhmen e futbollit vjen nga dr. Zach Binney, epidemiolog në Universitetin Emroy në Atlanta, i cili deklaron se dhjetëra mijëra spektatorë në afërsi të një stadiumi janë shumë të rrezikshëm. Pandemia e koronavirusit ka çuar në një mbyllje pothuajse totale të të gjithë sporteve në të gjithë globin, me pak siguri se kur do të rifillojnë garat dhe nëse tifozët do të jenë në gjendje të shkojnë në stadium.

Të luash në stadiume boshe për një vit ose më shumë do të ishte katastrofike për një numër klubesh, të cilët mbështeten shumë në shitjen e biletave dhe të ardhurat nga dita e ndeshjes. Si rrjedhojë, rënia e të ardhurave do të sjellë prishje kontratash, ndërsa pagat do të ulen ndjeshëm.

Sipas Binney, është thelbësore që tifozët të mos marrin pjesë në stadium për të shmangur rrezikun e sëmundjes që përhapet me shpejtësi: “Si shkencëtar, mendoj se nuk mund të rikthehemi në një stadium me kapacitet të plotë nëse nuk kemi gjetur vaksinën. 5 persona janë më të rrezikshëm se 2, dhjetë më të rrezikshëm se pesë”.

Ekspertët janë të bindur se ndeshja e Champions League në San Siro me 44 000 tifozë (Atalanta-Valencia) shërbeu për të përhapur virusin. Ata besojnë se kjo ndeshje shpjegon pse Bergamo u bë epiqendra e Covid-19 në Itali.

Nga ana tjetër, imunologu Karol Sikora beson se koha më e mirë për të rihapur stadiumet është kur imuniteti i popullatës përmes kontaktimit të virusit ka arritur në 60%. Po të marrim shembullin e Britanisë së Madhe, imunizimi i 68 milionë njerëzve është ende larg, pasi në këto momente ka arritur në 10-15%.