Tomori “braktis” Kuçovën dhe zhvendoset në Elbasan. Pasi u përcaktua zyrtarisht axhenda për finalen me Burrelin, klubi ka marrë menjëherë masa. Pasi i mbyllën përgatitjet e së dielës në stadiumin “Bashkim Sulejmani”, beratasit kanë marrë rrugën drejt Elbasanit. Skuadra do të akomodohet në këtë qytet deri në ditën e ndeshjes dhe po atje do të kryejë edhe seancat e fundit para përballjes me matjanët.
Drejtuesit më të lartë nuk janë kursyer në këtë drejtim, pasi duan me çdo kusht ngjitjen. Edhe pse rrugëtimi deri në elitë ka edhe një tjetër pengesë (gjithnjë nëse fitojnë të mërkurën), në Berat nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë. Kryebashkiaku u kishte premtuar se do t’u plotëson te çdo kusht dhe e ka mbajtur fjalën, ndaj edhe futbollistët zotohen se në “Elbasan Arena” do të nxjerrin “xixa” në fushë për ta mundur skuadrën që u rendit e dyta në Grupin A.
U bënë plot 8 sezone larg Kategorisë Superiore dhe tani që janë kaq pranë realizmit të ëndrrës, Tomori nuk ka në plan që të dorëzohet. Këtë e pohon edhe mesfushori Ervis Çaço, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. “Kemi ditë që përgatitemi për këtë finale dhe mendoj se jemi gati. Stërvitjet në Kuçovë i mbyllëm dhe tani jemi zhvendosur në Elbasan. Bashkia nuk është menduar dy herë që të na plotësojë kushtet e nevojshme, që ne të punojmë të qetë.
Kemi 8 sezone larg elitës dhe tani që jemi kaq pranë, nuk do të dorëzohemi dhe nuk kemi arsye. Grupi është cilësor dhe këtë e kemi dëshmuar gjatë një kampionati të tërë. E vlerësojmë kundërshtarin, e megjithatë jemi kaq të etur për të realizuar ëndrrën e çdo beratasi dhe shpërblyer mundin dhe sforcon financiare të drejtuesve më të lartë të klubit.
Mjafton që të luajmë të qetë e pa presion dhe nëse ia dalim, në fund do të jemi ne ata që do të kualifikohemi dhe kemi mundësinë të diskutojmë ngjitjen me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore”, përfundoi 32-vjeçari.