Zona e njohur si “Qafë Dushk” në fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit, vijon të ndotet. Duke qenë se aksi rrugor ura e Fshatit – Qafë Buall ka kaluar si dytësor për shkak të zhvendosjes së qarkullimit të automjeteve nëpërmjet rrugës së Arbrit, zona është tashmë jashtë syrit të kalimtarëve dhe autoriteteve. Kjo ka bërë që ndotja në Qafë Dushk të shtohet edhe pse numri i makinave që kalojnë andej është shumë i vogël.

Veç mbeturinave të hedhura anash rrugës, situatë shqetësuese është edhe brenda masivit me pishë të zezë në Qafë Dushk. Mbetje plastike nga më të ndryshmet, inerte apo mbeturina të tjera janë shpërndarë në brendësi të masivit me pishë.

Megjithë apelin e bërë mediatik banorë të zonës por edhe kalimtarë, deri tani nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e zonës nga këta mbeturina. Jashtë kameras banorët thanë se mbeturinat këtu shkarkohen nga automjete që vijnë kryesisht nga Bulqiza. Ata kërkojnë ndëshkimin e ndotësve të kësaj zone, e cila mund të kthehet lehtë në një destinacion turistik.