ZJARRI NË FSHATRAT E ULZËS, SITUATA MBETET KRITIKE

ZJARRI NË FSHATRAT E ULZËS, SITUATA MBETET KRITIKE

Zjarri në fshatrat e Ulzës ka marrë përmasa të mëdha dhe ka djegur disa hektar pyll me dushqe dhe halore. Flakët e nisura që të dielën janë përhapur me shpejtësi për shkak edhe të erës së fortë dhe thatësirës duke krijuar një perimetër të konsiderueshëm. Gjatë këtyre dy ditëve janë angazhuar dhjetra forca në terren nga toka si dhe helikopter nga ajri, por nuk është bërë e mundur neutralizimi i flakëve, të cilat i janë drejtuar grykës së Shkopetit. Zjarri rrezikoi edhe një fermë lopësh dhe disa banesa, por falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, shërbimit pyjor, mbrojtjes civile, banorëve të zonës dhe forcave të armatosura është shmangur djegia e tyre. Për shkak të situatës tepër kritike, autoritetet vendore kanë kërkuar më shumë angazhim nga ajri, për të ndalur hovin e zjarrit që po përhapet drejt luginës së Shkopetit. Perimetri i vatrës së zjarrit ka arritur deri në 5 kilometra, ndërsa i është drejtuar masivit pyjor të fshatit Madhesh, që nëse e përshkon atë, ekspertët e mjedisit thonë se ai mund të bëhet totalisht i pakontrollueshëm.