Zjarri i rënë në fillim të muajit Gusht në masivin pyjor të Tërnovës në Bulqizë ka shkaktuar dëme kolosale deri tani pasi ka përshkuar dhe djegur një sipërfaqe prej rreth 300 hektarësh. Zjarri i nisur në malin e Tërnovës është zhvendosur në malin e Valikardhës ku po i afrohet banesave të këtij fshati. Banorët e frikësuar kërkojnë ndërhyrje para se zjarri të përfshijë banesat. Ata kërkojnë që shteti duhet të dërgojë helikopter për të bërë të mundur fikjen e këtij zjarri shkatërrues.

Ndërkohë në terren për shuarjen e flakëve janë angazhuar punonjës të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Bulqizë, të Shërbimit të Pyjeve, administrata etj, por neutralizimi i zjarrit është i vështirë për shkak të terrenit malor. Autoritetet vendore në Bulqizë vijojnë të kërkojnë ndihmë nga ajri pasi e shohin të pamundur që të vënë nën kontroll zjarrin i cili deri tani ka shkaktuar dëm të madh ekonomik, si dhe ka dëmtuar florën e faunën e zonës.