SITUATA NGA ZJARRI NË FSHATRAT E ULZËS DEL TOTALISHT JASHTË KONTROLLIT, DIGJEN BANESA

SITUATA NGA ZJARRI NË FSHATRAT E ULZËS DEL TOTALISHT JASHTË KONTROLLIT, DIGJEN BANESA

Situata nga zjarri, që ka përfshirë që prej ditës së diel disa fshatra në Njësinë Administrative Ulzës, në Bashkinë e Matit, ka dalë totalisht jashtë kontrollit. Qindra hektar pyje janë djegur deri tani, ndërsa flakët nuk kanë kursyer as banesa.

Dy shtëpi janë shkrumbuar nga flakët ndërsa pronarët e tyre shprehen se kishin gjithçka brenda. Preng e Geg Stojani thanë se fatmirësisht në banesë nuk ka patur njeri kur janë djegur, ndërsa flakët kanë shkrumbuar edhe pemtoret e tyre.

Ndërkohë, deri tani janë evakuar 300 krerë lopë të cilat janë zhvendosur në fshatin Gallatë të Milotit. Po ashtu, në rrezik mbeten edhe banesat në fshatin Tordhën, në fshatin Madhesh ku rrezikojnë të digjen disa shtëpi dhe mbi 200 koshere bletë.

Operacioni ka vijuar nga toka me dhjetra forca nga shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor, mbrojtja civile, forcat e armatosura dhe vullnetarë, ndërsa mbështetet nga ajri nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes.

Autoritetet vendore kërkojnë më shumë ndihmë nga ajri për shkak se zjarri po i drejtohet luginës së Shkopetit dhe dëmi që mund të shkaktohet do të jetë shumë i madh.