Megjithëse temperaturat kanë qenë ekstremisht të larta, jashtë normales së periudhës në të cilën ndodhemi, situata nga zjarret në Qarkun Dibër mbetet e qetë. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se deri tani gjatë muajit Qershor nuk ka patur asnjë vatër zjarri shqetësuese, ndërsa shton se autoritetet vendore, përfshirë shërbimin e mbrojtjes civile, janë në gatishmëri të plotë. Nga ana tjetër, prefekti Shehu u bëri apel banorëve të Qarkut Dibër që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bëhen shkak me apo pa dashje që të shkaktohen vatra zjarri në masivet pyjore pasi me temperaturat ekstreme, pasojat mund të jenë shumë të mëdha.

  Ndërkohë në verën e kaluar pati disa raste zjarresh të cilat shkaktuan dëme të mëdha në ekonomitë pyjore të Qarkut Dibër. Disa persona u proceduan penalisht për zjarrvënie të qëllimshme dhe nga pakujdesia.