Beteja me zjarret në qarkun e Dibrës vazhdon kryesisht në dy vatra e zjarrit në Kacni dhe Qafë-Murrë.
Prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, tha për ATSH se janë rreth 100 forca operacionale në terren për shuarjen e flakëve në dy vatrat në bashkinë Dibër.
Ai tha se në Qafë-Murrë vatra e zjarrit është e fjetur dhe drejt shuarjes
“Zjarri është aktiv dhe po zhvillohet në dy vatra, por gjatë natës nuk ka pasur agravim të situatës, gjithashtu vatra e zjarrit në Qafë-Murrë është e qetë dhe është drejt shuarjes”, tha Shehu.
Po ashtu, prefekti i qarkut të Dibrës Shehu tha se vatra e zjarrit në Kacni “po shtrihet drejt një zone ujore dhe shpresojmë të izolohet”.
“Ndërsa vatra e zjarrit në Kacni, është zjarr i fjetur dhe më shumë digjen grumbullime trungjesh brenda vatrës së djegur, kurse gjatësia e vatrës së zjarrit po përparon në një zonë që ka shume burime ujërash dhe pritet pak zhvillim, ndërsa në segmentin tjetër po përqendrojmë forcat e angazhuara sot që pritet edhe mundësia e izolimit te tij”, tha ai.
Gjithashtu, prefekti i Dibrës Shehu tha se janë të aktivizuar rreth 100 forca operacionale për shuarjen e zjarreve.
“Sot janë angazhuar 38 forca; 9 efektivë zjarrfikës, 4 punonjës të shërbimit pyjor, 15 Forca të Armatosura, 10 vullnetare. Nga zjarri janë përshkuar rreth 315 ha pyll pishe përzier me dushk dhe ah e kullotë”, theksoi ai.