Rama Paralajmëron: Zgjidhje Për Shqetësimet, Dënim Për Dhunën

Rama Paralajmëron: Zgjidhje Për Shqetësimet, Dënim Për Dhunën

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, bëri një deklaratë për shtyp, pak përpara se të nisin protestat e paralajmëruara për sot.

“Qëllimet e protestës, arsyet dhe mbi të gjitha nevoja e asaj pjese të shoqërisë që kërkon një qasje më agresive të qeverisë për shtrenjtimin e kostove të jetesës, janë fokusi absolut i qeverisë dhe do të ishte edhe më mirë që të kishim një dialog me ata që kanë këto nevoja, për t'i adresuar ato. Ne, brenda pak orësh apo ditësh, do të prezantojmë reflektimin tonë mbi atë që po na thotë kjo pjesë e shoqërisë, ku shohim nevojën dhe mënyrën për ta bërë këtë qeveri edhe më të vëmendshme.

Ndërkohë, të gjithë ata që himnizojnë, i bëjnë jehonë dhunës, ushtrojnë dhunë, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv, i përqendruar dhe i zgjatur terrori urban, terrori mbi bizneset dhe familjet e zakonshme, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit.

Kush mendon se fshihet nën maskën e studentëve, mund të sjellë këtu terrorin urban të Antifës, mund të bëjë këtu punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare, të ndarë nga historia e lavdishme e harmonisë, duhet ta ketë të qartë që nuk do t’ia dalë dhe do të paguajë në një sërë formash, që nga ajo penale tek ajo financiare, për himnizuesit dhe propaganduesit e saj”, tha kreu i qeverisë.