ZJARRET NË ULËZ E MALLUNXË, SITUATA MBETET KRITIKE, FLAKËT PËRPAROJNË GJATË NATËS

ZJARRET NË ULËZ E MALLUNXË, SITUATA MBETET KRITIKE, FLAKËT PËRPAROJNË GJATË NATËS

Vatrat e zjarrit në masivet pyjore të Bashkisë Mat vijojnë të mbeten totalisht jashtë kontrollit. Situata mbetet kritike në fshatrat e Ulzës ku flakët kanë përparuar ndjeshëm drejt Shkopetit teksa i janë afruar shumë banesave. Po ashtu edhe në fshatin Trodhën, pas djegies së staneve, zjarri rrezikon banesat pasi ka zbritur deri në fshat. Më kritike situata është në anën e Shkopetit ku flakët po përparojnë me shpejtësi të madhe për shkak të erës së fortë dhe thatësirës. Mbi 200 forca kanë punuar gjatë ditës së djeshme në terren por izolimi i zjarrit ka qenë i vështirë. Operacioni nga ajri është ndërprerë për shkak se helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes ju bashkua operacionit për fikjen e zjarrit në Lezhë. Edhe në fshatin Mallunxë afër qytetit të Burrelit, zjarri mbetet jashtë kontrollit. Rreth 150 forca nga mbrojtja civile, zjarrfikësja, shërbimi pyjor, nga bashkia Mat, forcat e armatosura e vullnetarë kanë punuar gjatë ditës së djeshme duke izoluar zjarrin në anën perëndimore. Por gjatë natës zjarri është riaktivizuar në anën lindore dhe situata vijon të mbetet kritike. Në të dy vatrat e zjarrit në Ulëz dhe Mallunxë kërkohet një operacion intensiv ajror me helikopter për tju ardhur në ndihmë forcave tokësore, pasi terreni është tepër i vështirë. Situatë alarmante në Ulëz, zjarri shkon pranë banesave të fshatit Lundre. Flakët i janë afruar banesave duke rrezikuar gjithë fshatin. Ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit dhe thatësirës. E vetmja alternativë për të shpëtuar banesat e fshatit Lundre është ndërhyrja nga ajri. Banorët kërkojnë mbështetje urgjente me helikopter për shkak se nuk ka asnjë mundësi për t'i ndalur flakët.