ZJARRET NË QARKUN DIBËR, SITUATË ALARMANTE NË LURË
Dy vatra zjarri janë aktive në territorin e qarkut Dibër, sipas situatës së raportuar për datën 13 gusht. Më problematike paraqitet vatra në Parkun Kombëtar të Lurës, në vendin e quajtur Maja e Ruveshit, mbi fshatin Borie-Lurë. Gjatë natës, zjarri është përhapur ndjeshëm, i favorizuar nga era e fortë, duke avancuar në tre drejtime: nga Gurë-Lura, nga Fushë-Lura dhe poshtë malit drejt banesave të Borie-Lurës. Flakët janë afruar rreth 50 metra nga disa banesa, ndërsa situata vlerësohet shumë e vështirë dhe alarmante. Për përballimin e situatës në Lurë janë angazhuar rreth 134 forca, mes tyre zjarrfikës, punonjës pyjorë, Administrata e Zonave të Mbrojtura, Emergjencat Civile, forca të Bashkisë, vullnetarë, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 10 punonjës të Policisë së Shtetit. Megjithatë, me rritjen e temperaturave zjarri paraqitet gjithnjë e më i vështirë për t'u menaxhuar. Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është aktive në vendin e quajtur Qafa e Helmes, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, në territorin pranë Njësisë Administrative Selishtë të Bashkisë Dibër. Zjarri ka zhvillime të pakta dhe ndodhet larg zonave të banuara. Në Qafën e Helmesit janë angazhuar 10 efektivë zjarrfikës të Bulqizës, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës. Prioriteti kryesor mbetet vënia nën kontroll e zjarrit në Lurë dhe mbrojtja e banesave të fshatit Borie-Lurë.