Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha sot për ATSH-në se në qarkun e Dibrës janë ende dy vatra zjarri aktive.

Ai tha se vatrat e zjarrit aktive janë në fshatin Kacni dhe në Qafë-Murrë dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve.

“Në ditën e katërt të operacionit për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë në zonën pyjore Kacni-Qafe Murrë, njësia Administrative Selishtë për shuarjen e tij krahas forcave zjarrfikëse të sektorit të pyjeve në bashki si edhe vullnetarëve të fshatrave Qafë-Murrë dhe Murrë kanë ardhur edhe forcat ushtarake DMR (15) dhe në bashkëpunim me to po punohet për izolimin e njërës vatër, pasi për momentin janë aktive 2 vatra zjarri. Gjatë natës zjarri ka avancuar por me ritme më të ulta edhe si pasojë e uljes së temperaturës”, tha Shehu.

Ndërsa, sipas tij, për vatrën tjetër të zjarrit që është edhe afër këtyre dy fshatrave është i vështirë izolimi me forca njerëzore  pavarësisht numrit që mund të jenë në dispozicion, për shkak të bimësisë se dendur pyjore.

“Prandaj do të ishte e nevojshme ndërhyrja nga ajri për të bërë të mundur evitimin e rrezikut të mundshëm të banesave të këtyre fshatrave”, shprehet Shehu për ATSH-në.