Zjarret, hija e zezë e masiveve pyjore
Zjarret mbeten padyshim një ndër armiqtë më të mëdhenj të mjedisit, kryesisht në masivet pyjore. Por dëmi llogaritet akoma më i madh kur zjarret kanë prekur zonat turistike. I tillë është edhe zjarri që përfshiu vitin e kaluar masivin me pishë në afërsi të tunelit të madh të Shkopetit. Pasojat janë këto që shihni. Të gjitha pemët e pishës së butë janë djegur duke u kthyer në një njollë të zezë për zonën piktoreske të Shkopetit. Zjarri nisi nga rruga kryesore dhe përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme duke dalë deri në afërsi të Ulzës. U desh ndërhyrja e mjeteve ajrore për ta neutralizuar në mënyrë që të shmangej një dëm sa më i madh. Për këtë, u shoqëruan disa persona si të dyshuar për zjarrvënien. Megjithatë pasojat ishin të parikuperueshme, pasi flakët shkrumbuan jo vetëm pishat, por edhe gjithë bimësinë në zonë. Problematika me zjarret në vendin tonë, e kryesisht në të gjithë Qarkun Dibër çdo vit është shqetësuese pasi përfshin djegien e masiveve pyjore që shkurret e dushqet, deri tek masivet halore, duke ndikuar drejpërdrejtë negativisht në ekosistemin mjedisor.