Një vatër e madhe zjarri është shfaqur në masivin pyjor me dushqe në fshatin Mazhicë, të Njësisë Administrative Shupenzë të Bashkisë së Bulqizës. Zjarri mësohet se ka nisur që ditën djeshme duke u përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme me drurë lisi që ndodhen mbi fshat. Flakët po përhapen me shpejtësi të madhe për shkak të erës së fortë që ka nisur të jetë prezente prej disa orësh në këtë zonë. Kanë qenë banorët ata që kanë njoftuar autoritetet për vatrën e zjarrit. Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu tha se zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe se fikja e tij po bëhet e vështirë për shkak të terrenit.
Nga ana tjetër Shehu ju bëri apel banorëve të zonave rurale të mos bëhen shkak për aktivizimin e zjarreve qoftë edhe padashje.
Kjo nuk është hera e parë që masivi pyjor me lisa në këtë zonë digjet, ndërsa deri tani nuk dihen shkaqet e vërteta, teksa policia pritet të nisë hetimet për të gjetur autorin apo autorët e kësaj zjarrvënie.