Bulqiza do të ishte e vetmja Bashki e Qarkut Dibër që nuk ishte prekur nga zjarri në ekonomitë pyjore e kullosore, nëse një vatër zjarri nuk do të ishte aktivizuar që prej ditës së dielë në masivin pyjor të fshatit Tërnovë.

Flakët janë drejtuar drejt kurorës së gjelbër të liqenit të Zi, e vetmja kurorë e paprekur në këtë zonë.

Për shkak të erës së fortë vatra e zjarrit po zgjerohet dhe po merr përmasa të mëdha.

Në terren ndodhen punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Bulqizë, së bashku me forca e mjete të tjera, por është e pamundur fikja e zjarrit nga toka për shkak të erës që e ndihmon dhe terrenit të vështirë.

Deri tani zjarri ka djegur disa hektarë me pishë shekullore, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për ndihmë dhe forca të shtuara.