Edhe pse është ende herët, kanë nisur të shfaqen zjarret në masivet pyjore. Kjo që shihni është një vatër zjarri e aktivizuar gjatë ditës së sotme në malin mbi fshatin Shëngjun të Bashkisë së Klosit.

Për shkak të erës së fortë flakët janë përhapur me shpejtësi duke përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme. Në zonën ku është aktivizuar kjo vatër zjarri është me bimësi të ulët, kryesisht shkurre dhe kullotë, duke bërë që pasojat e flakëve të mos jenë të mëdha, siç ndodh në rastet kur përfshihen masivet me pishë.

Era e fortë në këtë zonë bëri që zjarri të shtrihej në të gjitha drejtimet, por pa rrezikuar, pasi ndodhet shumë larg banesave të fshatit Shëngjun.

Drejt vendit të ngjarjes është nisur edhe shërbimi pyjor i Bashkisë Klos për të parë masën e dëmit të shkaktuar dhe mundësitë për vijimësi të flakëve.

Autoritetet lokale ju bëjnë apel banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bëhen shkaktar të djegies së pyjeve pasi dëmi që shkaktohet është shumë i madh në një pasuri të të gjithëve.