Një vatër e fuqishme zjarri është aktivizuar
këtë të premte në malet e Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Nga
informacionet e para mësohet se zjarri fillimisht ka nisur në anën e fshatit
Mal Vilëz të Njësisë Administrative Zall – Bastar të Tiranës.

Për shkak të erës së fortë
flakët janë përhapur me shpejtësi duke bërë që zjarri të zgjerojë perimetrin. Vatra
e zjarrit ka prekur edhe një nga zonat më të bukura të fshatit Ketë e cila është
me pemë halore Ahu.

Banorët tregojnë se flakët
po përhapen me shpejtësi në të gjithë masivin pyjor duke bërë që të rritet
rreziku për një dëm ekonomik shumë të madh.

Nëse nuk do të ketë ndërhyrje
të shpejtë, zjarri rrezikon të përfshijë gjithë masivin pyjor me pemë ahu në
zonën e Xibrit, ndoshta një nga zonat më të paprekura dhe të ruajtura mirë në të
gjithë vendin tonë.

Ndërkohë, mësohet se drejt
vatrës së zjarrit është nisur shërbimi zjarrfikës i Klosit i cili do të asistojë
në anën e fshatit Ketë, ndërsa kërkohet ndërhyrje edhe nga Tirana në mënyrë që
të arrihet që vatra e zjarrit të vihet nën kontroll.