Një vatër zjarri është shfaqur në masivin pyjor të malit të Balgjajt në Bashkinë e Klosit që prej pasdites së të mërkurës. Flakët kanë përfshirë zonën me Ah, ndër më të ruajturat në këtë masiv pyjor.

Ndërkohë pasditen e djeshme është bërë ndërhyrje nga toka nga Shërbimi zjarrfikës i Klosit, shërbimi pyjor e banorë të zonës, por ka qenë e pamundur që vatra e zjarrit të vihej nën kontroll. Edhe pse temperaturat janë ekstremisht të larta, po punohet për neutralizimin e zjarrit në këtë masiv pyjor, por terreni i vështirë e bën të pamundur futjen e mjetit zjarrfikës në vendngjarje.

Nisur nga këto kushte banorë të zonës kërkojnë ndihmë nga ajri, pasi sipas tyre, nëse zjarri nuk ndalohet, dëmi ekonomik në këtë zonë turistike do të jetë shumë i madh.

Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu tha se aktualisht në të gjithë qarkun janë vetëm dy vatra zjarri, ku njëra në Maqellarë është neutralizuar, ndërsa vijon puna për shuarjen e vatrës së zjarrit në malin e Balgjajt.

Prefekti Shehu u bën apel banorëve që të tregohen të kujdesshëm gjatë stinës së verës, e të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve në ekonomitë pyjore, pasi ligji do të veprojë pa hezitim mbi këdo që çonë në të tilla situata.