Zjarr i madh në Parkun Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, flakët përhapen me shpejtësi – ndërhyjnë dy helikopterë

Zjarr i madh në Parkun Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, flakët përhapen me shpejtësi – ndërhyjnë dy helikopterë

Rreth 20 forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë Dibër, zonave të mbrojtura dhe vullnetarë janë angazhuar në terren për izolimin e flakëve. Era e fortë dhe bimësia e dendur favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Një vatër e madhe zjarri vijon të jetë aktive në masivin pyjor të Parkut Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, duke rrezikuar përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera të zonës së mbrojtur. Zjarri po favorizohet nga era e fortë dhe bimësia e dendur, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave në terren. Për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar rreth 20 forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë Dibër, punonjës të zonave të mbrojtura, si dhe vullnetarë të zonës.

Në operacionin për vënien nën kontroll të situatës po ndërhyjnë edhe dy helikopterë, të cilët po kryejnë hedhje uji nga ajri në zonën e përfshirë nga zjarri. Në rrezik masivi me pishë të zezë Vatra e zjarrit ndodhet në një masiv me pishë të zezë, një prej sipërfaqeve të rëndësishme pyjore që kanë mbetur në këtë pjesë të parkut.

Kjo zonë është përballur ndër vite me dëmtime të konsiderueshme të pyjeve, si pasojë e prerjeve dhe zjarreve të përsëritura, duke e bërë çdo vatër të re zjarri një kërcënim serioz për biodiversitetin dhe sipërfaqen pyjore. Banorët e zonës kërkojnë angazhim maksimal të strukturave përgjegjëse për izolimin dhe shuarjen sa më shpejt të flakëve, si dhe marrjen e masave për të parandaluar përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të Parkut Kombëtar.

Forcat në terren vijojnë operacionin për neutralizimin e vatrës dhe vendosjen e situatës nën kontroll.