Bashkia e Matit ka përmbyllur të gjitha takimet me banorët në kuadër të hartimit të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale të vitit të ardhshëm. Takimi i fundit u zhvillua me banorët e lagjes së ish SMT-së në qytetin e Burrelit dhe ato të lagjes së Re. Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se në këto vite është punuar edhe në periferi të qytetit, zona të cilat kanë qenë jashtë vëmendjes së pushtetit vendor prej vitesh. Ndërkohë, ai shpalosi edhe prioritetet për vitin e ardhshëm, si në infrastrukturën rrugore, arsim etj.
Banorët e pranishëm parashtruan kërkesat e tyre ndaj pushtetit vendor dhe kërkuan që të merren parasysh gjatë hartimit të buxhetit të vitit 2024.