ZHVILLOHET DËGJESA E FUNDIT PUBLIKE NË KLOS, TË HËNËN MBLIDHET KËSHILLI BASHKIAK
Këshilli i Bashkisë Klos ka përmbyllur dëgjesat publike në kuadër të mendimit qytetar për projekt-reformën administrativo-territoriale 2.0 që parashikon bashkimin e bashkive Mat e Klos në një të vetme. Dëgjesa e fundit u zhvillua të enjten e 27 gushtit me banorët e Njësisë Administrative Klos, teksa qytetarët që morën fjalën deklaruan se Bashkia duhet të qëndrojë për shkak se plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë, ndërsa po merr zhvillim për shkak të rrugës së Arbrit. Qytetarët e argumentuan qëndrimin e tyre duke deklaruar se rrethi Matit mund të jetë më i fortë dhe më i zhvilluar me dy njësi të vetëqeverisjes vendore, Bashkinë Klos dhe Bashkinë Mat. Të hënën e 31 gushtit pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak dhe të dalë me një vendim në lidhje me projekt-propozimin e mazhorancës për bashkimin e Klosit me Matin në një bashki të vetme.