Pas lajmit të transmetuar në media në lidhje me problemin e bllokimit të kanalit kullues anësor të rrugës nacionale në Shupenzë të Bulqizës, ka reaguar firma mirëmbajtëse. Është dashur që ky problem të bëhej mediatik që firma në fjalë të bënte punën e saj. Ishin banorët ata që denoncuan neglizhencën dhe mosreagimin e firmës e cila paguhet miliona lekë për të mirëmbajtur këtë aks rrugor. Drejtuesit e mjeteve thonë se autoritetet nuk duhet të presin që problemet të bëhen mediatike e më pas të ndërhyjnë, por të bëjnë detyrën ashtu siç e kanë të parashikuar në kontratën e mirëmbajtjes.

  Kanë qenë banorët e Shupenzës ata që vazhdimisht janë ankuar për mungesën e mirëmbajtjes së kësaj rruge që me ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kjo për shkak se trafiku është zhvendosur atje, por që kjo rrugë është ende në inventarin e autoritetit Rrugor Shqiptar si pjesë e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi.