Si rezultat i veprimeve intensive të shërbimeve të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe të kryera në zbatim të planit të posaçëm operacional, të hartuar nga DPPSH-ja, me objekt ndalimin e zhurmave në zonat e banuara dhe për garantimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, konform ligjeve në fuqi, në bashkëpunim të ngushtë dhe me Prokurorinë e rrethit Dibër, është zbuluar magazina e një biznesi në qytetin e Peshkopisë, ku mbaheshin qindra koli me fishekzjarre dhe kapsolla të kalibrave të ndryshëm të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë, me qëllim shitjen.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në këtë ambient, u kap në flagrancë shtetasi E.I., 32 vjeç, banues në fshatin Pollazhan, Dibër, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Në magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 733 kapsolla, 344 fishekzjarre të kalibrave të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.