Kanë qenë banorët e zonës ata që informuan mbi municionet luftarake brenda hapsirës së ish depove të armatimit.

Ata kanë shprehur frikën se mund të dëmtohen teksa kullotin bagëtinë pasi sipërfaqja është e madhe dhe e mbuluar nga bimësia.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e ekspertëve dhe çertifikimin e zonës si të sigurtë nga municionet e paplasura.

Prania e municioneve luftarake në disa zona që janë përdorur për të ruajtur armatimin, kanë shkaktuar shumë viktima.

Rasti më i rëndë mbetet ai pranë tuneleve të Selixës në afërsi të Qaf Shtamës me 29 Prill të vitit 1997.

Teksa 200 persona po nxirrnin nga tunelet municione luftarake, një shpërthim brenda njërit tunel shkaktoi 27 viktima.

Ndërkohë pak vite më vonë në vendin e quajtur “Fusha e shkrirjes” humbi jetën një i ri teksa gërmonte në tokë për të mbledhur skrap nga armatimet luftarake.

Ndërkohë, pasditen e sotme drejt vendit të ngjarjes është nisur grupi hetimor dhe pritet që të ndërhyhet për largimin e këtyre municioneve luftarake.