Zani Çaushi tërheq kërkesën për lirim me kusht. Ish-kapo banda i Vlorës mbërriti sot në orën 10:00 në Gjykatën e Korçës, ku do të zhvillohej seanca për kërkesën e tij për lirimin me kusht.

Për rrjedhojë Gjykata e Korçës pushoi sot çështjen.

Masa të rrepta sigurie
Ndërkohë, policia mori masa të rrepta sigurie duke bllokuar hyrjen në Gjykatën e Korçës në momentin kur aty mbërriti Zani Çaushi. Kreu i një prej bandave të Vlorës gjatë trazirave të vitit 1997, Zani Çaushi kërkoi më herët lirinë me kusht edhe pse është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Kërkesa e Çaushit bazohej mbi argumentet e tij se është rehabilituar në burg, dhe fakti se ka fëmijë për të rritur, për të cilët thotë se është i gatshëm të punojë.

“Kam fëmijë të mitur për të rritur. Jam rehabilituar pasi 3/4 e dënimit i kam shlyer në qeli. Kërkoj të lirohem para kohe me kusht”, thuhet në kërkesën e Zani Çaushit.

Myrteza ose Zani Çaushi siç njihet gjerësisht, arriti të arratiset nga një burg i sigurisë së lartë në Greqi dhe në mars të vitit 1997, ngriti një nga bandat e qytetit të Vlorës, ku përplasjet mes tyre shkaktuan disa viktima.

Ai u dënua në vitin 1999 me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh në vitin 1997 dhe grupin kriminal që ngriti e drejtoi.