Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi emërimin e diplomates Yuri Kim ne postin e Ambasadores se SHBA ne Shqiperi. Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë për të emëruarin për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan. Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati.
Kim, ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional. Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.