Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për vrasjen e ndodhur paraditen e sotme në Lezhë, ku një oficer i Policisë u vra me armë zjarri në krye të detyrës. Zyrtarisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në Ishull Lezhë në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga ana tjetër edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu bashkë me drejtorin e Policisë Kriminale, Tonin Vocajn po shkojnë në vendngjarje.
Një grup i posaçëm është ngritur për këtë ngjarje që çoi në vrasjen e policit gjatë një kontrolli në zonën e mbrojtur të Kune-Vain për kultivim kanabisi.