Vrasja e dy vëllezërve Bilali rreth 1 muaj më parë në Shkodër është zbradhur nga policia. Nëpërmjet një njoftimi thuhet se në pranga kanë rënë dy persona konkretisht Arsen Stojku, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe Myslym Rama, 23 vjeç, po nga fshati Mjedë, për të njëjtën vepër penale. Ndërkohë që në kërkim është shpallur autori kryesor, Ibrahim Lici si dhe shtetasi me iniciale D.B 29 vjeç.
Por kush është 26-vjeçari Ibrahim Lici, i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali?
Burime për ‘Syri.net’ bënë me dije se ai është nipi i Fatbardh Licit i vrarë më 8 gusht 2018 dhe djali i Mustafë Licit, anëtar i këshillit bashkiak në Shkodër dhe drejtues i partisë Mendimi i Djathtë Liberal. Në 2017 Ibrahim Lici u arrestua në kuadër të një operacioni në Shkodë3r për goditjen e një grupi me veprimtari në fushën e gjobëvnies, ndërkohë që 3 muaj pas arrestit, Lici u la i lirë për mungesë provash.
Nga ana tjetër viktima Fatbardh Lici është kunati i Lulzim Kullës, biznesmenit të njohur ndaj të cilit u bë atentat më 13 janar të vitit të kaluar me lëndë shpërthyese ku mbeti i plagosur.
Ky atentat dyshohet se ishte dhe ngjarja që prishi qetësinë mes grupeve rivale në Shkodër.
Në këtë atentat, të kryer pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 persona, mes të cilëve edhe vetë Kulla. Ngjarjet sipas policisë lidhen me hakmarrjen dhe përplasjen mes grupeve kriminale si dhe aktivitetin e djalit të Astrit Bilalit i cili mbeti i vrarë më 30 mars, Asmerit, një ish-kampion i sportit të boksit, i arrestuar në shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.
Grupet kriminale që veprojnë në Shkodër kanë një histori më shumë se 25-vjeçare, mbushur me vrasje, kërcënime, trafik droge, prostitucion, rrëmbim të pronave, etj. Gjatë viteve, disa prej grupeve u larguan nga skena pas vrasjes së drejtuesve të tyre. Mbijetuan grupet më të fuqishme, ato që ishin organizuar në bazë familje.