Mali i Balgjajt në Bashkinë e Klosit vijon të digjet prej tri ditësh.
Flakët vijojnë të përhapen në masivin pyjor me pishë në vendin e quajtur “Qaf-Burrel”. ndërhyrja e një dite më parë nga ana e shërbimeve zjarrfikëse të bashkive Klos e Mat ka qenë e paefektshme pasi terreni i thyer e ka bërë të pamundur shuarjen totale të zjarrit.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe më të madhe, ndonëse prej mëngjesit po punojnë ekipet e shërbimit zjarrfikës Klos e Mat si dhe ato të drejtorive të shërbimit pyjor në këto dy bashki.
Kërkesa e autoriteteve lokale për ndërhyrje nga ajri është refuzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile si dhe Ministria e Mbrojtjes me argumentin se nuk kanë helikopter për të lëshuar ujë nga ajri në vatrat e zjarreve.
Por mungesa e rrugës në malin e Balgjajt e bën të pamundur që ndërhyrja të bëhet me mjet zjarrfikës. Në këto kushte, mundësia e vetme është shuarja e flakëve me anë të pompave të shpinës dhe me mjete rrethanore.