Prej javësh ka vijuar puna për shpërndarjen e teksteve shkollore për nxënësit e arsimit parauniversitar në të gjithë rrethin e Matit. Distributorja e shpërndarjes së librit shkollor për Matin, Razie Muharremi tha se puna fillimisht ka nisur me shkollat në zonat më të largëta, për të vazhduar këto ditë me shkollat qendër. Po ashtu, Muharremi u shpreh se tekstet kanë ardhur sipas përzgjedhjes që janë bërë nga vetë shkollat apo mësuesit. Deri tani, sipas saj, nuk ka mungesa të theksuara të teksteve shkollore, ndërsa ato pak libra që janë mungesë nuk ka patur gjendje në shtëpitë botuese, por që do të plotësohen para datës 11 shtator. Pjesa më e madhe e librave, janë të reja, dhe një pjesë shumë e vogël do të përdorin libra të vitit të kaluar, pasi janë vlerësuar nga mësuesit në gjendje të mirë.

  Edhe këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit, jep falas librat për fëmijët e arsimit 9-vjeçar, por edhe për 16 kategori në nevoja të veçanta, në arsimin e mesëm. Ato janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj. Risi këtë vit të ri arsimor është se veç nxënësve të klasave të para, edhe fëmijët e klasave të dyta dhe të treta të arsimit fillor do të marrin libra të rinj.