Bajpasi i rrugës së Arbrit në fshatin Xibër Murrize të Klosit vijon të jetë segmenti më i ndotur i kësaj rruge. Megjithë sensibizilimin e vazhdueshëm mediatik për ta mbajtur pastër këtë zonë, shumë prej udhëtarëve që ndalen të pushojnë gjatë lëvizjes së tyre në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër, vijojnë ta ndotin natyrën.

Mbeturinate e produkteve të konsumuara gjatë udhëtimit apo pushimit përgjatë Bajpasit të Murrizit janë hedhur pa kriter. Ndonëse në zonë mungojnë kontejnerët e mbeturinave, një tjetër problem i është shtuar.

Siç duket nga pamjet, po në të njëjtin vend i cili është kthyer si pikë e grumbullimit të mbeturinave janë hedhur edhe kafshë të ngrodhura. Ky qen që shihni në pamje, nuk dihet se sa kohë qëndron i ngordhur në këtë vend, ndërsa insektet i janë vërsulur për tu ushqyer në të.

Specialistët e fushës thonë se qëndrimi i kafshëve të ngordhura në sipërfaqe jo vetëm është një imazh i shëmtuar, por edhe një rrezik potencial për përhapjen e infeksioneve të ndryshme. Insektet që mund të ushqehen në to si mizat apo mushkonjat, mund ta përcjellin infeksionin tek kafshë të tjera apo njerëzit.