Ekipi i futbollit “Burreli” zhvilloi këtë të shtunë ndeshjen e planifikuar miqësore me ekipin U19 Laçi të superligës. djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj testuan veten përballë të rinjëve të drejtuar nga ish trajneri i Burrelit, Eduart Tanushaj. Ndeshja u luajt në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Matjanët u hodhën direkt në sulm duke mbajtur në zonën e tyre ekipin mik. Por vëmendja më e madhe e stafit teknik ka qenë tek koordinimi mes lojtarëve në fushë si një ndër elementët më të rëndësishëm. Trajneri Nikaj iu kërkoi të tijëve që të mos zhvillonin lojë individuale, por lojë në grup që do ta bënte atë të pathyeshëm. Megjithëse ndeshja ishte e lajmëruar, ajo u gjykua nga një treshe e rënë dakord mes ekipeve, pasi nuk u mor nga FSHF. Matjanët shënuan dy gola në fund të pjesës së parë, duke i vënë në vështirësi të rinjtë e Laçit. Ndërkohë në pjesën e dytë, ekipet testuan lojtarët e tjerë rezervë duke i aktivizuar ato në këtë përballje. Në këtë fraksion të lojës vendasit shënuan edhe tre gola të tjerë, ndërsa aq laçjanët nuk dolën bosh pasi shënuan dy herë në portën vendase. I gjithë takimi u mbyll me rezultatin Burreli 5 e Laçi U19 2. Ndonëse ekipet vijojnë të mbajnë lojtarët të karikuar, ende nuk ka një datë për fillimin e kampionatit. Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar kërkesën e ekipeve të superligës dhe ka vendosur që ta shtyjë sezonin e ri pa afat të caktuar.