Jo vetëm të martën, por edhe këtë të mërkurë prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit Kllobçisht në Maqellarë të Dibrës, nuk kanë lejuar që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë. Bojkoti ka vijuar për shkak të një vendimi të Zyrës Vendore Arsimore Dibër për të zhvendosur nxënësit e kësaj shkolle në shkollën e fshatit Kërçisht. Komuniteti i prindërve të Klobçishtit kërkon që ZVA Dibër të anulojë vendimin për mbylljen e shkollës. Ata thonë se bojkotimi i mësimit do të vijojë pa afat derisa kërkesa e tyre të plotësohet.

Ndërkohë, bojkotit të mësimit i janë bashkuar edhe nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën që ishin transferuar më parë në shkollën e Kërçishtit. Ata kërkojnë që të rikthehen në shkollën e fshatit të tyre pasi sipas nxënësve, i ka të gjitha kushtet e nevojshme për mësim dhe është afër banesave të tyre.

Në Kllobçisht janë rreth 80 nxënës nga klasa e parë deri në të 9-tën që duhet të udhëtojnë disa kilometra për në fshatin Kërçisht për të frekuentuar shkollën 9-vjeçare të arsimit të detyruar.