Vijojnë vatrat e zjarrit në Bulqizë e Klos, procedohet një 67-vjeçar
Situata me ndjezjen e zjarreve që më pas rrezikojnë pyjet vijon të jetë problematike në Dibër, Bulqizë e Klos. Edhe ditët e fundit ka patur vatra zjarri në këto bashki ku vetëm me ndërhyrjen e autoriteteve është bërë e mundur vendosja e tyre nën kontroll. Në fshatin Vajkaj të Bulqizës, ndezja e një zjarri i cili doli më pas jashtë kontrollit i ka kushtuar procedim penal një 67-vjeçari. Policia e Bulqizës bënë me dije se ka referuar materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K.T, 67 vjeç, banues në fshatin Vajkal, pasi ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me bimësi. Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është shfaqur në malin e Cerujës mbrëmjen e kaluar, por është vënë nën kontroll nga shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Klos i cili nuk e ka lejuar të përhapet në sipërfae të gjerë. Edhe pse prej ditësh autoritetet vendore por edhe prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ka bërë apel për të treguar kujdes gjatë pastrimit të kullotave apo arave me zjarr, situata mbetet problematike, pasi janë aktivizuar mbi 20 vatra në zona të ndryshme të qarkut Dibër.