Ndërtimi i urës së Domit mbi lumin Mat, që lidh fshatrat Dom e Zall Rripë të Njësisë Administrative Gurrë në bashkinë e Klosit me rrugën nacionale Klos – Burrel, ka hyrë në një fazë të avancuar.
Firmat zbatuese të projektit momentalisht e kanë përqendruar punën në ndërtimin e dy bazamenteve anësore për shkak të nivelit të lartë të ujit në shtratin e lumit.
Paralelisht po punohet në të dy anët e urës në mënyrë që të bëhet ndërtimin e këtyre dy bazamenteve sa më parë.
Ndërkohë, burime pranë firmave zbatuese të projektit për ndërtimin e urës së Domit thanë se momentalisht nuk mund të punohet në shtratin e lumit Mat për shkak të nivelit të madh të ujit, ndërsa do të shihet mundësia e zhvendosjes së rrjedhës së ujit nga vendi ku do të ndërtohet këmba e urës.
Ndërtimi i urës së Domit do të kushtojë 70.5 milion lekë pa tvsh, ndërsa punimet pritet të mbyllen brenda gjashtë muajve nga data e lidhjes së kontratës mes firmës dhe Bashkisë Klos.