Vazhdojnë punimet për veshjen me rrjetë të skrapatave të rrugës së Arbrit nga Ura e Vashës deri tek tuneli i Qaf-Buallit. Punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta, me tre grupe. Një grup po ngren murë-mbajtëset prej betoni. Grupi tjetër i punës po merret me vendosjen e rrjetës mbrojtëse në skrapatën e faqes së shpatit, dhe grupi i tretë i punës po bën derdhjen e betonit me makineri në sipërfaqen e rrjetës së vendosur.

Burime nga firma e punimeve bëjnë me dije se shumë shpejt do të përfundojë puna për veshjen e skrapatës nga Ura e Vashës deri tek tuneli i Qaf-Buallit. Kujtojmë se kjo pjesë rruge në Plan të Bardhë ka qenë problematike përsa i përket rënies së gurëve në rrugë sa herë kishte reshje, duke u bërë shqetësim për drejtuesit e mjeteve dhe burim aksidentesh për to.

Por në këtë segment të rrugës së Arbrit dhe deri tek tuneli i Murrizit mungojnë sinjalistika horizontale dhe vertikale. Gjithashtu në këtë pjesë ruge nuk është hedhur as shtresa përfundimtare e asfaltit.  Burime nga firma e punimeve thonë se shumë shpejt do të fillojë asfaltimi i aksit në drejtim të Tiranës nga dalja e fshatit Plani i Bardhë deri tek tuneli i Murrizit.