Një biznes privat që operon në fushën e automjeteve ka rënë pre e vjedhjes dy netë më parë në qytetin e Peshkopisë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur përgjatë rrugës nacionale Peshkopi – Kukës, në vendin e quajtur ish-SMT-ja.
Për rastin në fjalë është bërë denoncim edhe në policinë e Dibrës, por deri tani rasti nuk është bërë publik dhe se nuk dihet nëse ka gjurmë të autorëve që kanë vjedhur biznesin.
Burime për Mat Televizion thanë se autorët kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme karburanti, bateri automjetesh e sende të tjera që kushtojnë.
Në objekt është hyrë me forcë çka e tregojnë edhe pamjet e portës së jashtme ku është dëmtuar dryni i kësaj porte. Rastet e vjedhjes në zonën e Dibrës kanë qenë të shumta kohët e fundit. Pak ditë më parë, banorë të fshatit Hotesh në Dibër denoncuan vjedhjet e banesave të tyre. Banorët atje ndjehen të frikësuar, teksa deklaronin se po shihnin mundësinë e largimit nga fshati.