Vidhen barrierat metalike në rrugën Klos – Qaf Buall

Rruga nacionale Klos – Qaf Buall ka rënë pre e vjedhjes së barrierave metalike në fshatin Kloskatund. Prej pak ditësh, persona ende të paidentifikuar kanë nisur çmontimin e barrierave mbrojtëse në këtë segment rrugor. Sipas përgjegjësit të mirëmbajtjes së këtij segmenti, Ferit Dankshi, ky fenomen po ndodh kohët e fundit ku gjatë natës, çmontohen elementët metalikë në vende të ndryshme.  Dankshi shprehet se për këtë do të bëjë denoncim në polici pasi është cënuar një vepër publike dhe ata që e kanë bërë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Nga ana tjetër, Dankshi thotë se për shkak se ka rënë qarkullimi i automjeteve në këtë segment, vjedhja e elementeve metalike të barrierave anësore është bërë më e lehtë për keqbërësit, të cilët i shpëtojnë pikasjes së njerëzve.

Pas denoncimit të përfaqësuesve të firmës mirëmbajtëse të aksin Klos – Qaf Buall, policia pritet të nisë hetimet për të gjetur autorët e vjedhjes së barrierave metalike anësore të këtij aksi nacional.