Është mbyllur afati i lënë për aplikime në skemën mbështetëse për mjete agregate për bujqësinë. Thirrja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ju jepte mundësinë të gjithë qytetarëve që të aplikonin në skemën financuese në masën 50% për mjete agregate (traktorë), për t’i përdorur për proceset e punës në bujqësi. Ndërkohë skema përfshinte edhe financim në sera diellore, mbulesë vreshtash e pemtoresh etj. Të dhënat tregojnë se në të dy bashkitë e Matit kanë aplikuar vetëm 6 fermerë për mjete agregate. Përgjegjësi i Zyrës së Ekstensionit Bujqësor në Mat, Dritan Pjeçi tha se për aplikuesit do të nisë faza e verifikimit nga ana e Ministrisë së linjës.
Nga ana tjetër, Pjeçi tha se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë edhe një fazë të dytë me po të njëjtat kritere, ndërsa fondi i akorduar është 10 milion euro. Përgjegjësi i Zyrës së Ekstensionit Bujqësor në Mat, Dritan Pjeçi u bëri apel qytetarëve që të aplikojnë në këtë thirrje të dytë.