Vetëdorëzohet në polici Danjel Gjura
Ish-Drejtori i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Dibër, Danjel Gjura, i cili ishte shpallur në kërkim që prej 17 Qershorit, është dorëzuar në polici mbrëmjen e së martës. Vetëdorëzimi i Gjurës vjen pak ditë pasi policia e Dibrës goditi një skemë të dyshuar kriminale për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në Dibër. Megjithëse ende nuk ka një deklaratë publike nga autoritetet, në media ka qarkulluar lajmi për arrestimin e Gjurës, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Tjetërsimi” me 17 Qershor të këtij viti për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim. Po për këtë shtetas, me datë 20 Qershor, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër vendosi zëvendësimin e masës në mungesë për ish-drejtorin Danjel Gjura nga arrest me burg në detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore. Nga 14 masa të lëshuara nga Policia e Dibrës, gjykata ndryshoi të gjitha prej tyre, duke kaluar edhe të dyshuarit kryesor Teshar Doçin e Fatjon Çakrrin në “arrest shtëpie” nga “arrest me burg” që kishte kërkuar prokuroria. Policia e Dibrës nuk ka ende një njoftim publik për shtetasin Danjel Gjura, as të dërguar në media e as të publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Pista e vetme e burimit të informacionit deri tani mbetet ajo e vetëdorëzimit të Gjurës për tu përballur me akuzën e ngritur ndaj tij.