Shumë fshatra të Bashkisë së Klosit kanë qenë deri tani pa ujë të pijshëm për shkak se nuk ishte ndërtuar asnjëherë një rrjet për furnizimin me ujë. Ndërkohë, prej disa muajsh vijojnë punimet për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të 8 fshatrave të njësisë Administrative Xibër dhe Klos.
Janë dy vepra marrje nga të cilat do të furnizohen fshatrat e Njësisë Administrative Xibër dhe ato të Klosit. Bëhet fjalë për veprën e marrjes në vendin e quajtur “Përroi i Lopës” dhe tek gurrat e fshatit Ketë në Xibër.
Banorët që jetojnë në këto fshatra thanë se ende nuk ka shkuar ujë në banesat e tyre, ndërsa përfaqësues të Bashkisë Klos thanë për “Mat Televizion” se rrjeti nga depot e shpërndarjes tek familjarët është në fazën e dytë.
Me ndërtimin e këtyre ujësjellësave, të gjithë fshatrat e Bashkisë së Klosit do të jenë me rrjet të ujit të pijshëm.
Banorët shpresojnë që edhe faza e dytë e investimit të përmbyllet sa më shpejt pasi deri tani kanë përdorur burime alternative për tu furnizuar me ujë të pijshëm, burime të cilat nuk kanë sigurinë e nevojshme për të konsumuar ujin.