Është riaktivizuar sërisht vatra e zjarrit e ndodhur në fshatin Kacni të Njësisë Administrative Selishtë në Bashkinë e Dibrës. Edhe pse perimetri i kësaj vatre zjarri ishte shuar, trungjet e mbetura në sipërfaqen e djegur janë riaktivizuar si pasojë edhe e erës së fortë që fryn në lartësi.

Drejtues të Mbrotjes Civile në Bashkinë Dibër, thanë se në anën e Selishtës është izoluar vatra dhe nuk ka përhapje të mëtejshme drejt Qaf Murrës. Ndërsa problematike mbetet situata në anën e malit të Balgjajt, ku flakët janë riaktivizuar gjatë natës.

Përgjegjës të Emergjencave Civile në Bashkinë e Klosit thanë se gjatë mëngjesit të sotëm vatra e zjarrit ka përfshirë fushën e thatë në ekonominë pyjore të Balgjajt.

Erërat e forta kanë bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.

Megjithatë, në terren ndodhen punonjës të shërbimit zjarrfikës, ato të shërbimit pyjor dhe të mirëmbajtjes pranë Bashkisë së Klosit.

Ndërhyrja po bëhet me pompa shpine uji dhe mjete rrethanore pasi për shkak të terrenit të vështirë, është e pamundur të futet mjeti zjarrfikës.