Vala e Protestave Përshkallëzohet: Sot Dita e 15-të e Kërkesave për Dorëheqjen e Kryeministrit

Vala e Protestave Përshkallëzohet: Sot Dita e 15-të e Kërkesave për Dorëheqjen e Kryeministrit

Protestat masive kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën e pakënaqësisë në vend. Mijëra qytetarë pritet të mblidhen sërish sot, duke shënuar ditën e 15-të të revoltës popullore me kërkesën kryesore për largimin e kryeministrit.

Nën sloganin e fuqishëm “Shqipëria nuk shitet, zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja nuk shitet”, qytetarët do të grumbullohen, si çdo ditë, në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00. Më pas, marshimi do të nisë drejt Kryeministrisë, ku aktivistë dhe qytetarë do të mbajnë fjalime dhe do të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike.

Dita e djeshme u shënua nga një marshim “historik”, me një pjesëmarrje masive që u cilësua si ‘uragan’ dhe një varg kilometrik qytetarësh. Ata brohoritën thirrje dhe parulla të shumta kundër qeverisë dhe ripërsëritën kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës në ditën e 14-të të kësaj lëvizjeje.

Ndër thirrjet kryesore që kanë dominuar protestat janë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “pa rini nuk ka Shqipëri”, “Pelikanin Kaçurrel, do ta sjellim në Kuvend”, “Bojkotoni këta plehra”, “Çohuni nga kafja”, dhe “Këtu vendosim ne”.