Pas javëve përvëluese gjatë muajit Korrik të gjithë menduan se vala e të nxehtit me temperatura ekstreme është larguar për këtë verë. Por ditët e fundit është rikthyer i nxehti afrikan duke bërë që termometri të arrijë sërish në vlera të larta, duke krijuar një vapë të padurueshme.

Gjatë kësaj të mërkure në Mat temperaturat arritën ndjeshmërinë e 38-39 gradë Celsius. Sinoptikanët parashikojnë që vala e të nxehtit afrikan të zgjesë deri në fund të kësaj jave ndërsa temperaturat pritet të kenë një rënie të lehtë, kryesisht me 1 gradë çdo ditë.

E hëna e javës së ardhshme pritet të sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave për shkak të reshjeve lokale të shiut.

Ndërkohë, mjekët specialist këshillojnë që deri të dielën të bëhet kujdes me ekspozimin në rrezet diellore, kryesisht në pikun e të nxehtit nga ora 11:00 e paradites deri në orën 17:00 të pasdites.

Në këtë periudhë kohore, rrezatimi është në maksimum dhe rrezet ultravjollcë mund të shkaktojnë pasoja kryesisht në lëkurë. Kujdes i shtuar duhet treguar nga mosha e tretë dhe fëmijët.