Disa orë para votimeve të 30 qershorit, situata në vend është e tensionuar.
Në Tiranë qindra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë për të protestuar kundër zhvillimit të zgjedhjeve monopartiake të organizuara nga qeveria e Edi Ramës.
Protestuesit, një pjesë e të cilëve ishin banorë të zonës së Astirit, kanë marshuar në drejtim të KZAZ-së nr 36 në Kombinat.
Ata u shprehen se nuk do të lejojnë votime një partiake. Në mbështetje të protestuesve, ashtu sic ka bërë gjatë gjithë muajve të protestave të banorëve të ‘Astirit’, ka qenë edhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu.
“Momentalisht nuk po shoh provokator. Nuk jemi në fushatë që të mbajmë heshtje zgjedhore, jemi këtu kundra qeverisë Rama”, është shprehur ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu.
Votimet e 30 qershorit, pritet të zhvillohen në një klimë të pazakontë, për vetë faktin se opozita i ka bojkotuar këto zgjedhje.
Vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila pritet të vazhdojë pavarësisht asaj se çfarë do të ndodhë nesër.
Nga ana tjetër, 84 objekte të rëndësisë së vecantë janë marrë në mbrojtje nga ushtria, pas urdhërit të përbashkët të ndërrmarrë dhe miratuar nga Ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj, Ministria e mbrojtjes Olta Xhaçka dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu . Blloku i ambasadave është rrethuar nga forca të ushtrisë, ndërkohë që prezenca e tyre nuk mungon as në institucionet shqiptare të rëndësisë së vecantë.
280 oficerët e policisë që ruajnë sigurinë në këto godina do t’i bashkohen pjesës tjetër të forcave të policisë për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit të votimit.