Asfaltimi i rrugës Burrel – Klos ka lehtësuar qarkullimin e mjeteve, por nga ana tjetër është bërë burim aksidentesh. Më problematike mbetet situata në fshatin Mallunxë apo siç njihet ndryshe “Komia e Tullave”. Të paktën 10 aksidente janë shënuar pranë ose mbi urën një kalimëshe, gjë të cilën e tregojnë edhe dëmtimet në muret anësore të kësaj ure.
Fatmirësisht këto aksidente kanë qenë pa pasoja në njerëz por vetëm dëme materiale. Drejtuesit e mjeteve dhe banorë të zonës thonë se mungesa e sinjalistikës që tregon urën me një sens lëvizjeje, është burim aksidentesh. Sipas tyre, duhet të vendoset një tabelë që i paralajmëron drejtuesit e mjeteve. Po ashtu, banorët kërkojnë që anash urës duhet të ishte ndërtuar pjesa ku do të kalojnë fëmijët e shkollës, pasi po rrezikojnë jetën duke kaluar në të njëjtën rrugë me makinat.
Urat me një sens lëvizjeje në Mallunxë e shoshaj vazhdimisht kanë qenë një ndër problemet më të mëdha të rrugës nacionale Burrel – Klos.