Procesionarja e Pishës, apo i njohur ndryshe si krimbi i pishës, është bërë i pandashëm me pemën halore. Prej vitesh ato bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, duke lënë edhe pasoja. Mungesa e ndërhyrjes nga institucionet shtetërore ka bërë që procesionarja t’i kthejë në habitatin e saj të gjitha masivet pyjore me pishë në vendin tonë.
Për shkak të temperaturave që janë jo normale për stinën në të cilën ndodhemi, procesionarja këtë vit është ngjitur me vonesë në degët e pishës. Si rezultat i temperaturave të larta jo të zakonta për periudhën, krimbi i pishës ka shtyrë në kohë ciklin e tij për tu futur në këto qeska.
Çdo pemë pishe, në masivin pyjor të fshatit Plan i Bardhë në bashkinë e Klosit, është e infektuar nga procesionarja. Në shumë prej tyre, mesatarja e qeskave që ka ndërtuar janë në 6 apo 7 copë.
Të pakta nuk kanë qenë edhe pishat të cilat janë dëmtuar si pasojë e pranisë së procesionares duke shkaktuar tharjen e degëve.
Ndërkohë sipas përllogaritjeve të bëra nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në vendin tonë sipërfaqja e pishës e infektuar nga procesionarja kalon mbi 150 mijë hektarë.